Patundshmëria vazhdon të jetë sektori kryesor që tërheq investimet e huaja në Kosovë, duke treguar varësi të lartë nga ky segment dhe mungesë të investimeve në sektorët prodhues.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për periudhën janar–mars 2026, Investimet e Huaja Direkte arritën në 215.55 milionë euro, me rritje prej 7.81% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Nga kjo shumë, rreth 72.36% e investimeve janë orientuar në patundshmëri, duke e bërë atë destinacionin kryesor të kapitalit të huaj në vend.
Pas këtij sektori, investimet janë drejtuar kryesisht në shërbime financiare, industri prodhuese, teknologji informative dhe tregti.
Sa i përket origjinës së investimeve, Gjermania, Zvicra dhe SHBA-ja mbeten ndër investitorët kryesorë, të ndjekura nga Sllovenia, Shqipëria dhe Turqia.
Ekspertët theksojnë nevojën për diversifikim më të madh të investimeve drejt prodhimit dhe teknologjisë, për të rritur ndikimin në zhvillimin ekonomik dhe punësim./EO/




