Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka bërë të ditur se synimi kryesor i institucionit për këtë vit është fuqizimi i njësisë ekonomike, e cila sipas tij do të shërbejë si motor i zhvillimit brenda sistemit korrektues.
Në një intervistë, Dibrani theksoi se SHKK është vlerësuar ndër vite me çmime ndërkombëtare për reformat në rehabilitim dhe trajtim shëndetësor, veçanërisht për fokusin në shëndetin mendor dhe trajtimin e personave me nevoja të veçanta.
Ai bëri të ditur se aktualisht në institucionet korrektuese në Kosovë mbahen rreth 1,744 persona, përfshirë të dënuar, të paraburgosur dhe të mitur.
Dibrani njoftoi gjithashtu se në prill të vitit 2027 pritet të vijë grupi i parë i të burgosurve nga Danimarka në kuadër të marrëveshjes mes dy shteteve.
Sipas tij, sistemi do të funksionojë me bashkëmenaxhim, ku pala daneze do të ketë drejtim administrativ, ndërsa stafi kosovar do të kujdeset për sigurinë dhe operimin në terren.
Ai shtoi se marrëveshja, përveç përfitimeve financiare, pritet të sjellë edhe transferim të praktikave më të mira nga sistemi korrektues danez./EO/




