Dogana e Kosovës ka sekuestruar 7,168 produkte farmaceutike të padeklaruara gjatë një kontrolli në Pikën Kufitare të Jarinjës.
Gjatë kontrollit të një autobusi të linjës ndërkombëtare, zyrtarët doganorë gjetën një valixhe me barna dhe produkte farmaceutike pa dokumentacionin e nevojshëm. Nga sasia e konfiskuar, 7,100 produkte ishin kapsula, ndërsa pjesa tjetër përfshinte shurupe, sprej dhe xhel.
Meqë asnjë nga pasagjerët nuk e pranoi pronësinë e bagazhit, procedura kundërvajtëse është iniciuar ndaj kompanisë transportuese, në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.
Mallrat janë ndaluar, ndërsa Dogana ka nisur procedurat e mëtejshme ligjore. Autoritetet rikujtojnë se mosdeklarimi i mallrave përbën shkelje doganore dhe dënohet sipas ligjit.
Dogana e Kosovës thekson se do të vazhdojë kontrollet për të parandaluar hyrjen e produkteve farmaceutike të padeklaruara dhe me origjinë të pasigurt në tregun vendor.




