Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke pritur vendimet e Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e paraqitura ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se certifikimi i rezultateve do të varet nga përmbajtja e vendimeve që do të nxjerrë Gjykata Supreme.
“Nëse vendimet nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, atëherë mund të procedohet me certifikimin e rezultateve. Nëse ato përmbajnë obligime për KQZ-në, fillimisht do të zbatohen vendimet, e më pas do të vazhdohet me certifikimin e rezultateve”, ka deklaruar Elezi.
KQZ publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve më 27 qershor 2026. Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike me 47.13 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 19.44 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69 për qind.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6.74 për qind të votave dhe shtatë mandate, ndërsa Lista Serbe ka fituar 5.40 për qind të votave./EO/




