Lidhja e Bizneseve të Kosovës, ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucionet përgjegjëse që të publikojnë pa vonesë rezultatet zyrtare të analizave në sektorin e qumështit.
LBK ka shprehur mbështetje për zbatimin e ligjit dhe kontrollet profesionale, por ka kundërshtuar çdo ndikim politik në procesin e verifikimeve.
Sipas LBK-së, vonesat në publikimin e rezultateve po shkaktojnë dëme për kompaninë “Vita”, blegtorët dhe gjithë zinxhirin e prodhimit vendor, duke rrezikuar konkurrueshmërinë dhe vendet e punës.
Në reagim, LBK thekson se në rast se konfirmohet përmbushja e standardeve, kompanisë duhet t’i lejohet menjëherë rifillimi i aktivitetit dhe grumbullimi i qumështit nga fermerët.
Po ashtu, LBK kërkon transparencë të plotë dhe vendime të bazuara vetëm në ligj, duke paralajmëruar se çdo vonesë apo ndikim i mundshëm dëmton prodhimin vendor dhe favorizon importin.




