Analisti politik Afrim Kasolli vlerëson se Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me një krizë të thellë të brendshme, e cila është reflektim i rezultateve të dobëta zgjedhore.
Sipas tij, nisma për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku është shprehje e hapur e përçarjeve brenda partisë. Ai thotë se edhe nëse Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së, do të jetë një lider i brishtë dhe partia nuk do të zgjidhë problemet e brendshme vetëm me ndërrim të lidershipit.
Kasolli thekson se LDK-ja ka nevojë për rithemelim politik dhe për përcaktim të qartë të identitetit të saj, pasi sipas tij, subjekti ka lëvizur ndër vite mes qasjeve të ndryshme politike dhe nuk ka arritur të konsolidojë veten.




