Qumështorja Vita ka njoftuar se rezultatet e analizave të kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë dalë pozitive për produktet e saj.
Sipas kompanisë, mostrat e analizuara nuk kanë përmbajtur qumësht pluhur dhe as vaj palme, duke theksuar se nuk janë konstatuar përbërës të ndaluar.
“Vita” ka bërë të ditur gjithashtu se, pas një takimi me përfaqësues të fermerëve dhe institucionet përkatëse, është arritur një marrëveshje e përkohshme për vazhdimin e grumbullimit të qumështit nga fermerët deri në publikimin e rezultateve të plota të analizave më 13 korrik.
Kompania ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj standardeve të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, duke falënderuar konsumatorët për besimin e vazhdueshëm.




