Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka pritur në takim eurodeputetin dhe raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, integrimin evropian dhe nevojën për tejkalimin e ngërçit institucional.
Hamza ka falënderuar Terrasin për angazhimin e tij dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar mbështetjen për rrugën evropiane të vendit dhe aplikimin për anëtarësim në BE.
Gjatë takimit është theksuar rëndësia e krijimit të institucioneve funksionale, të cilat do të mundësojnë zbatimin e reformave dhe rikthimin e besimit të partnerëve ndërkombëtarë.
Hamza ka deklaruar se stabiliteti nuk nënkupton vetëm formimin e institucioneve, por edhe qeverisje demokratike, dialog politik dhe respektim të Kushtetutës.
Sipas tij, Kosova duhet të ecë përpara pa humbur kohë nga krizat politike dhe vonesat në funksionalizimin e institucioneve.




