Deputeti i rizgjedhur i PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar ndaj deklarimeve të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për parashikimet e rritjes ekonomike të Kosovës, duke e akuzuar Qeverinë se po e paraqet si sukses një nivel që, sipas tij, nuk sjell zhvillim të mjaftueshëm.
Mustafa ka thënë se parashikimet për rritjen ekonomike nuk përbëjnë arsye për optimizëm, pasi sipas tij, tregojnë mungesë të një vizioni më ambicioz për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai ka theksuar se ritmi i parashikuar i rritjes ekonomike është i pamjaftueshëm për të sjellë ndryshime të mëdha në standardin e jetesës së qytetarëve dhe ka kritikuar politikat aktuale ekonomike të ekzekutivit.
Sipas Mustafës, Kosova ka nevojë për politika që nxisin investimet, prodhimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës, ndërsa ka vlerësuar se qasja aktuale nuk po jep rezultatet e pritshme në zhvillim ekonomik.
“Me këtë qasje nuk pritet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik”, ka deklaruar ai, duke kërkuar një orientim më të madh drejt investimeve dhe rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë së vendit.




