Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim eurodeputetin Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, si dhe procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Konjufca ka vlerësuar mbështetjen e Parlamentit Evropian ndaj aspiratave të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke falënderuar eurodeputetin Terras për angazhimin e tij në raport me vendin.
Gjatë takimit, ministri Konjufca ka theksuar rëndësinë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet me vëmendjen e merituar, me qëllim avancimin drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim./EO/
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për të vazhduar bashkëpunimin me strukturat e Bashkimit Evropian dhe për të përmbushur kriteret e nevojshme në rrugën drejt integrimit të plotë evropian.




