Federata e Hendbollit e Kosovës ka njoftuar se afati kalimtar veror për transferimin e lojtarëve dhe lojtareve hapet më 7 korrik.
Sipas vendimit të Bordit të FHK-së, afati i rregullt kalimtar do të jetë i hapur deri më 21 korrik, periudhë gjatë së cilës priten lëvizje të shumta në klubet kosovare.
Gjatë këtij afati mund të transferohen hendbollistët dhe hendbollistet që nuk kanë kontratë me klubin, si dhe ata që kanë marrë pëlqimin e klubit për largim.
Ndërkohë, më 7 korrik do të publikohet edhe drafti i Propozicioneve të Garave për edicionin 2026/2027. Afati për shqyrtimin dhe komentimin e tyre do të zgjasë deri më 1 gusht.
Lëvizje të shumta priten edhe nga klubet kosovare që do të përfaqësojnë vendin në garat evropiane gjatë sezonit të ri.




