Brenda pak ditësh pritet të nisin afatet ligjore për formimin e institucioneve të reja, përfshirë konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e presidentit dhe formimin e Qeverisë.
Megjithatë, deri tani partitë politike nuk kanë zhvilluar negociata apo takime zyrtare për arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa qëndrimet e tyre mbeten të pandryshuara.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se fillimisht synojnë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, e më pas diskutimin me partitë tjera për një kandidat konsensual për president.
Në anën tjetër, partitë opozitare insistojnë se fillimisht duhet të arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Ekspertët e çështjeve parlamentare vlerësojnë se Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit nuk përcaktojnë qartë renditjen e këtyre proceseve.
“Kushtetuta dhe rregullorja nuk kanë dhënë sqarim se si mund të bëhet radhitja e formimit të institucioneve”, ka deklaruar Vullnet Bugaçku nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Analistët politikë thonë se mungesa e një konsensusi mes partive po e vështirëson tejkalimin e situatës dhe mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Pas certifikimit të rezultateve, Kuvendi ka afat 30 ditë për t’u konstituuar, ndërsa pas konstituimit nis afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.




