Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet t’u bëjë thirrje aleatëve të NATO-s që të përshpejtojnë furnizimin e Ukrainës me sisteme të mbrojtjes ajrore, të cilat i konsideron thelbësore për përballimin e sulmeve të vazhdueshme ruse.
Kërkesa e tij vjen pas sulmeve të fundit me raketa ndaj Kievit, ku u goditën ndërtesa banimi dhe humbën jetën të paktën 50 civilë, duke shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e luftës.
Gjatë samitit, Zelensky pritet të zhvillojë takim edhe me presidentin amerikan, Donald Trump, ku do të diskutojë situatën e sigurisë në Ukrainë dhe nevojën për mbështetje të mëtejshme nga partnerët ndërkombëtarë.
Ai synon të theksojë se sulmet e fundit ruse nuk tregojnë forcë, por dëshmojnë nevojën për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Moskës për të avancuar drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit.
Ndërkohë, Ukraina ka vazhduar sulmet me dronë ndaj objektivave strategjike në territorin rus, duke goditur infrastrukturë energjetike dhe objekte ushtarake në disa rajone./Sinjali/




