Ish-deputeti Haki Abazi ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sipas tij, është duke vepruar me qëllim të “shpërbërjes së Republikës së Kosovës”.
I ftuar në emisionin “DPT Te Fidani” në Klan Kosova, Abazi ka përmendur vizitat e Kurtit në Greqi, shtet që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke pretenduar se kjo dëshmon qasjen e tij ndaj shtetit.
“Kurti është në misionin e tij të shpërbërjes së Republikës së Kosovës. Për tri vite në mënyrë graduale është duke hequr copë-copë atribute të shtetit”, ka thënë Abazi.
Ai ka përmendur edhe mungesën e funksionimit të plotë të Kuvendit, si dhe kritikat ndaj sistemit të drejtësisë e Gjykatës Kushtetuese, duke i cilësuar si sulme ndaj institucioneve të Republikës.
Abazi nuk ka paraqitur prova për pretendimet e tij, ndërsa deklaratat e tij janë pjesë e qëndrimeve të tij politike ndaj qeverisjes së Kurtit.




