Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka paraqitur ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi pretendon se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk i ka lejuar qasje në fletëvlerësimet e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.
GLPS ka bërë të ditur se kërkesën për qasje në dokumente e ka dorëzuar më 2 korrik 2026, një ditë pas intervistimit të kandidatëve, me qëllim të monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes.
Sipas organizatës, KPK nuk ka kthyer përgjigje brenda afatit ligjor, duke e cilësuar këtë si mungesë transparence dhe llogaridhënieje në një proces të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.
GLPS ka kërkuar nga AIP që të obligojë Këshillin Prokurorial të lejojë qasje në fletëvlerësimet e kandidatëve, me qëllim të verifikimit të objektivitetit dhe respektimit të parimeve të meritokracisë në procesin e përzgjedhjes.




