Klinika Infektive në QKUK ka njoftuar se nga e premtja janë paraqitur dhjetëra pacientë me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi.
Sipas njoftimit, pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore me ankesa si ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diarre, ndërsa simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.
Nga data 10 deri më 13 korrik 2026, në Klinikën Infektive kanë kërkuar trajtim rreth 70 pacientë, prej të cilëve 22 janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm.
Rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) dhe janë evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse.
Klinika Infektive ka bërë të ditur se pacientët e shtruar janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.




