Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova po shqyrton mundësinë e përdorimit të gazit të lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimit me Shqipërinë dhe termocentralin e Vlorës.
Deklarata u bë gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit të parkut solar me kapacitet 105 megavatësh në Kramovik të Rahovecit.
Kurti tha se, krahas rritjes së prodhimit vendor, Kosova po investon në burime të ripërtëritshme të energjisë dhe në diversifikimin e furnizimit, për të forcuar sigurinë energjetike.
Ai përmendi gjithashtu projektet për energjinë e erës dhe ndërtimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë, të mbështetura nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)./Sinjali/




