Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, ku ka miratuar disa vendime.
Në këtë mbledhje është aprovuar emërimi i Ragmi Dalipit në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
Po ashtu, qeveria ka marrë vendim për shpronësimin për interes publik të disa pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat do të përdoren për realizimin e projekteve në Komunën e Gjakovës.
Shpronësimi lidhet me administrimin e objektit të ish-“Bankos”-it për nevojat e administratës komunale, si dhe me ndërtimin e një fushe futbolli dhe hapësirave rekreative në fshatin Trakaniq dhe zonat përreth.
Gjatë mbledhjes është miratuar edhe ndryshimi i përbërjes së një komisioni qeveritar për shqyrtimin dhe zyrtarizimin e gjendjes faktike dhe mospërputhjeve në Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme.




