Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet Xh.Sh., i dyshuar për veprat penale “Dhunimi”, “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se në shkurt të vitit 2026, në Pejë, duke përdorur forcë dhe kanosje, ka kryer veprime seksuale pa pëlqimin e viktimës, e cila ishte bashkëshortja e tij.
Gjithashtu, ai dyshohet se për një periudhë kohore ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, si dhe ka poseduar armë zjarri dhe municion pa autorizim, të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Prokuroria i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.




