Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve për procesin e tregtimit të tepricave të energjisë elektrike, duke i cilësuar disa prej pretendimeve si të pabazuara dhe të mbështetura në interpretime të pjesshme.
KEK ka bërë të ditur se tregtimi i energjisë zhvillohet sipas procedurave të brendshme të përcaktuara dhe nuk varet nga vendimet individuale të zyrtarëve jashtë kompetencave të tyre.
Sipas korporatës, kryeshefi ekzekutiv nuk ka rol në fazën operative të aprovimit apo refuzimit të transaksioneve të energjisë, ndërsa përgjegjësitë janë të përcaktuara për personat dhe njësitë përkatëse.
KEK ka njoftuar gjithashtu se ndaj dy zyrtarëve janë marrë masa të përkohshme të largimit nga puna deri në përfundimin e procedurave disiplinore, ndërsa rasti është adresuar te institucionet kompetente.
Korporata ka theksuar se gjatë vitit 2024 ka ndërmarrë masa për rritjen e kontrollit dhe sigurisë në procesin e tregtimit të energjisë elektrike./EO/




