Ministria e Financave ka nënshkruar marrëveshje granti në vlerë prej 5 milionë eurosh me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), për mbështetjen e projektit për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Financimi shtesë do të përdoret për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së transmisionit, përmes projekteve që synojnë rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike.
Projekti zbatohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), ndërsa sipas institucioneve, investimi do të kontribuojë edhe në avancimin e integrimit të tregut energjetik.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka vlerësuar bashkëpunimin me KfW-në dhe ka theksuar se ky financim do të mbështesë realizimin e investimeve prioritare në sektorin energjetik.
Edhe drejtori i KfW-së për Kosovë, Moritz Remé, ka konfirmuar gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes në modernizimin e sektorit të energjisë, ndërsa drejtori ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, ka bërë të ditur se projektet po zhvillohen sipas planit të paraparë.




