Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë zjarri dhe tre fishekë gjatë një kontrolli të realizuar në kuadër të planit operativ “Vera 2026” në Ferizaj.
Rasti ka ndodhur mbrëmjen e 28 korrikut, rreth orës 23:45, në rrugën “Kadri Zeka”, ku Njësia e Reagimit të Shpejtë ndaloi për kontroll një automjet. Gjatë kontrollit të 41-vjeçarit me inicialet Sh.Sh. dhe automjetit të tij, policia gjeti në një çantë krahu një pistoletë dhe tre fishekë.
I dyshuari u shoqërua në stacionin policor, ku u intervistua. Me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa ai është liruar në procedurë të rregullt.




