Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka emëruar Agron Limanin kryesues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke zëvendësuar në këtë detyrë Andin Hotin.
Limani është i njohur për angazhimin e tij shumëvjeçar në çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës. Ai është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, që trajton masakrën e Krushës së Vogël, si dhe familjar i disa personave të zhdukur.
Me këtë rast, Kurti ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe i bëri thirrje Serbisë të hapë arkivat ushtarake, duke theksuar se kjo është thelbësore për ndriçimin e rasteve të pazgjidhura.
Ai përmendi edhe gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut si pjesë e angazhimit institucional për këtë çështje.




