Përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se pas takimit me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, janë përcaktuar hapat për konstituimin e Kuvendit të ri.
Ajo bëri të ditur se seanca konstituive e legjislaturës së 11-të do të mbahet më 6 gusht, ndërsa më 3 gusht do të zhvillohet një takim përgatitor për aspektet teknike të seancës.
Nagavci tha se LVV, si subjekt fitues i zgjedhjeve, është e gatshme që institucionet të funksionalizohen sa më shpejt dhe puna të vazhdojë me kompetenca të plota.
Duke folur për zhvillimet në LDK dhe rikonfirmimin e Lumir Abdixhikut në krye të kësaj partie, Nagavci tha se mirëpresin zgjidhjen e çështjeve të brendshme dhe presin vazhdimin e diskutimeve politike për formimin e institucioneve të reja.
Ajo rikujtoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ftuar në takim kryetarët e LDK-së dhe PDK-së, duke shprehur shpresën që bisedimet të vazhdojnë për të mundësuar funksionimin e institucioneve./EO/




