Përfaqësuesja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se kjo parti do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë dhe ka përjashtuar mundësinë e një bashkëqeverisjeje me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Çitaku tha se PDK-ja është e interesuar që institucionet e vendit të konstituohen sa më shpejt, por pa hyrë në koalicion qeverisës me LVV-në.
Ajo theksoi se dallimet mes dy subjekteve janë të mëdha dhe se bashkëpunimi mund të bëhet vetëm për çështje që lidhen me funksionalizimin e institucioneve dhe interesin e qytetarëve.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Çitaku tha se kjo çështje nuk duhet të trajtohet si një “vend pune”, por si një proces me ndikim në vazhdimësinë e qeverisjes dhe në drejtimin politik të vendit. Ajo përmendi si fusha ku PDK-ja ka dallime me LVV-në raportet me SHBA-në, sundimin e ligjit, sektorin privat dhe lirinë e medias./EO/




