Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve në rastin “Toka 2”, duke i dënuar me gjithsej 32 vjet burgim dhe 230 mijë euro gjoba për veprën penale “Krim i organizuar”.
Me vendim të gjykatës, Mehmet Prishtina është dënuar me 10 vjet burgim dhe 100 mijë euro gjobë, Dukagjin Emërllahu me 8 vjet burgim dhe 80 mijë euro gjobë, Nexharije Hoti me 8 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë, ndërsa Avni Maxhuni me 6 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë.
Gjykata i ka liruar të akuzuarit nga akuza për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa ka urdhëruar konfiskimin e 45 ngastrave kadastrale dhe mjeteve financiare në llogaritë bankare të dy të akuzuarve.
Rasti “Toka 2” lidhet me dyshimet për përvetësimin e kundërligjshëm të rreth 36 hektarëve tokë në territorin e Prishtinës dhe Graçanicës, përmes një skeme që, sipas Prokurorisë, ka vepruar gjatë periudhës 2009–2014.
Në fillim të procedurës penale ishin të akuzuar 24 persona, por pas zhvillimit të procesit gjyqësor, numri i tyre u reduktua dhe në fund mbetën katër të pandehurit ndaj të cilëve u shpall vendimi përfundimtar nga trupi gjykues.




