Aleanca ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj Qeverisë në detyrë dhe kryeministrit në detyrë, lidhur me vendimet e marra më 12 gusht.
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se bëhet fjalë për 17 vendime që, sipas tyre, janë në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë. Sipas tij, vendimet kanë të bëjnë me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë dhe një rast për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm.
Tahiri tha se kompetencat e një qeverie në detyrë janë të kufizuara dhe se, sipas tij, janë shkelur detyrat zyrtare.
Aleanca ka ngritur kallëzim penal edhe për ushtrimin e funksioneve ekzekutive nga deputetët që janë betuar në Kuvend.
“Kapja e shtetit duhet të ndalet. Abuzimi me funksionin publik duhet të ndalet”, deklaroi Tahiri./EO/




