Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë zgjeruar hetimet për dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Hetimet janë zgjeruar ndaj 21 punëtorëve të BKS-së, duke e çuar në 69 numrin e përgjithshëm të personave nën hetim. Ata dyshohen për përfshirje në bartjen dhe përfitimin e shumave të parave pa mbulesë, në vlera nga 2 mijë deri në 53 mijë euro për person.
Sipas Prokurorisë, veprimet e reja dyshohet se i kanë shkaktuar BKS-së rreth 200 mijë euro dëm shtesë.
Në kuadër të hetimit financiar janë ngrirë 35 prona, përfshirë parcela, banesa dhe garazhe, të lidhura me tre të dyshuarit kryesorë. Po ashtu, janë ngrirë edhe 21 llogari bankare.
Dëmi i përgjithshëm i dyshuar ndaj BKS-së tashmë vlerësohet në rreth 1.24 milionë euro.
Hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim mes Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës. Për të gjithë të dyshuarit vlen parimi i prezumimit të pafajësisë.




