Më datë 01shtator 2026, policët nga Stacioni Policor Prizren-Veri, pas veprimeve operative–hetimore, pas nje kohe te gjate ne arrati, kanë arritur të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin N.K. mashkull 41 vjeçar nga fshati Velezhë, Prizren. I njëjti ka qenë në kërkim pasi ishte dënuar me gjithsej katër (4) vite burg efektiv me dy vendime të plotfuqishme të Gjykatës Themelore të Prizrenit.
I arrestuari është dënuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 267, i KPRK-së.
I arrestuari N.K. fillimisht është sjellë në Stacionin Policor Prizren-veri dhe më pas është dërguar në burg për vuajtjen e dënimit.
Policia mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë publike, duke ndërmarrë veprime të vazhdueshme për identifikimin dhe arrestimin e personave të kërkuar, si dhe për parandalimin e veprave penale që cenojnë shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.




