Grumbullimi i qumështit nga fermerët në Kosovë po vazhdon, pasi Shoqata e Prodhuesve të Qumështit ka pezulluar përkohësisht vendimin për ndërprerjen e tij.
Kryetari i SHIQK-së, Gani Durmishi, tha se industria po pret që Ministria e Bujqësisë dhe AUV të sqarojnë dhe zbatojnë kërkesat për prodhuesit. Sipas tij, nëse nuk ka zgjidhje brenda ditëve në vijim, mund të rikthehet vendimi për mosgrumbullimin e qumështit.
Edhe përfaqësuesi i kompanisë ABI, Alajdin Fusha, tha se problemi kryesor lidhet me mungesën e një procedure të qartë për autorizimin e produkteve analoge.
Pas takimeve me institucionet, industria ka vendosur të vazhdojë grumbullimin, duke pritur finalizimin e procedurave dhe inspektimeve nga AUV.
Përfaqësuesit e qumështoreve kanë paralajmëruar se zvarritjet po krijojnë hapësirë për rritjen e importeve dhe po vështirësojnë pozicionin e produkteve vendore në treg./EO/




