Aleanca ka zhvilluar një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, të cilin e ka quajtur “Regjim parti, regjim shtet”.
Gjatë aktivitetit, para objektit të Kuvendit janë vendosur fotografi të deputetëve të Vetëvendosjes me mbishkrimin “Free nga regjimi Kurti-Dejona”.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar mënyrën e funksionimit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, duke pretenduar se deputetët e kësaj partie nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për të shprehur qëndrimet e tyre.
Sipas Ramadanit, vendimmarrja brenda partisë bëhet në mënyrë të centralizuar dhe deputetët, siç tha ai, shpesh nuk mund të shprehin mendime që dallojnë nga qëndrimi i subjektit politik.
Ramadani ka theksuar se çdo deputet duhet të ketë liri të plotë për ta ushtruar mandatin e marrë nga qytetarët, duke e cilësuar situatën aktuale si një model që, sipas tij, mund të shtrihet edhe në institucionet e shtetit.
Ai tha se aktiviteti u organizua së bashku me të rinjtë e Aleancës për të ngritur shqetësimin rreth funksionimit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes./EO/




