Ngërçi i stërzgjatur në Parlament mund t’i kushtojë me vota kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, nëse do të mbahen zgjedhje të reja në pamundësi të krijimit të institucioneve të reja.
Kështu ka thënë së fundmi një raport nga International Crisis Group.
Sipas këtij raporti, për t’iu kundërvënë humbjes së mundshme të votave, Kurti mund të shpresojë që “demonstrimi i forcës” në veri të vendit do të zbutet dhe do të tërheqë votues me prirje nacionaliste.
Në këtë analizë thuhet se Qeveria e Kosovës tani po i trajton “shprehjet e hapura të identitet kombëtar serb” si “forma të gjuhës së urrejtjes kriminale”, kurse më parë Qeveritë kishin prirje të toleronin ambivalencën e shumë serbëve ndaj qeverisë së Kosovës – duke e pranuar shtetin në Prishtinë nga pragmatizmi, por duke refuzuar pavarësinë e tij – si çmimin për integrimin.
International Crisis Group është një organizatë joqeveritare që merret me parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve të armatosura në mbarë botën dhe punon me vendimmarrës ndërkombëtarë për të ndikuar në marrjen e masave diplomatike për të parandaluar ose ndalur luftërat.




