Dy gjëra janë shumë të qarta pas publikimit të Raportit vjetor të Progresit nga Komisioni Evropian më 4 nëntor.
Ekzekutivi i Bashkimit Evropian është shumë serioz për pranimin e anëtarëve të rinj deri në mbarim të mandatit pesëvjeçar, në fund të vitit 2029. Dhe tashmë i ka identifikuar kandidatët: Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën.
Ky është raporti i parë që e ka publikuar përbërja e re e Komisionit prej kur e ka nisur punën në fund të vitit të kaluar.
Si zakonisht, në dokument përmendet përparimi – ose mungesa e tij – në 10 vendet që e synojnë BE-në: Kosovë, Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi, Turqi, Moldavi, Gjeorgji dhe Ukrainë.
Mirëpo, duket se raportet e këtij viti kanë pasur një prekje gjeopolitike.
Pas diskutimeve që i ka pasur Radio Evropa e Lirë me disa zyrtarë në Bruksel në muajt e fundit, është e qartë se zgjerimi i bllokut evropian është kthyer sërish në prioritet.
Shteti i fundit që i është bashkuar BE-së ka qenë Kroacia më 2013 dhe prej atëherë blloku evropian, në fakt, është tkurrur për herë të parë, me largimin e Britanisë së Madhe më 2020.




