Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e kryesisë me kryetarët e degëve të saj.
Sipas njoftimit nga kjo parti u diskutuan dy tema kryesore: Zhvillimet politike në vend, dhe Përgatitjet për proceset e ardhshme politike, përfshirë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kryesia e AAK-së konstatoi se gjendja aktuale në vend është alarmante, pa qeveri legjitime dhe pa funksionim të duhur të institucioneve. Kjo situatë e rëndë politike dhe institucionale kërkon veprim të menjëhershëm.
Tutje në njoftim thuhet se në këto rrethana, zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, që qytetarët të rikthejnë legjitimitetin dhe besimin në institucionet e tyre.
Në këtë takim u vlerësua lart suksesi i jashtëzakonshëm i Aleancës në zgjedhjet lokale, siq thuhet: ku fituam bindshëm në pesë komunat ku kemi qeverisur. Ardian Gjini, Bali Muharremaj, Smajl Latifi, Bashkim Ramosaj dhe Zenun Elezaj dëshmuan se qeverisja e tyre ka qenë dhe vazhdon të jetë model i transformimit komunal duke konfirmuar besimin e qytetarëve me fitore të merituara e qeverisje të suksesshme.
Në këtë frymë, Kryesia miratoi kriteret për përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë dhe nisjen e përgatitjeve në nivel të degëve për zgjedhjet e ardhshme.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të jetë pjesë e asnjë procesi që e shkel Kushtetutën dhe e deformon rendin demokratik.
“Ne kërkojmë që buxheti i ri të miratohet vetëm pas krijimit të Qeverisë së re me mandat të plotë.
• Aleanca nuk do të lejojë që Qeveria në detyrë të uzurpojë kompetenca që nuk i takojnë më.
• Ne mbrojmë integritetin institucional dhe rendin kushtetues të Republikës.
• Vendi ka nevojë për një buxhet të qeverisë legjitime, jo të qeverisë në ikje. Kjo nuk është çështje teknike, por parimore:
S’ka buxhet pa Qeveri.
S’ka vendimmarrje pa mandat.
S’ka demokraci pa respektim të Kushtetutës.”thuhet tutje në njoftimin e AAK-së.





