Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian tha se është koha që Bashkimi Evropian të heqë masat ndaj Kosovës dhe të hapë rrugën për statusin e vendit kandidat.
Ai në fillim të fjalës së tij, uroi Shqipërinë për hapjen e kapitullit të fundit në negociatat e anëtarësimit, duke theksuar rëndësinë e avancimit të procesit të integrimit europian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, Kurti kritikoi politikën e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat, sipas tij, janë në kontrast me raportet dhe vlerësimet ndërkombëtare.
Ai theksoi se masat e vendosura ndaj Kosovës duhet të hiqen, ashtu siç kishte kërkuar ish-Përfaqësuesi i Lartë dhe ish-Zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borell.
Kurti tha se asnjë vend i rajonit nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot.




