Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përshkruar ngritjen e aktakuzës ndaj tre personave të dyshuar për shpërthimin në Ibër-Lepenc si një dëshmi të hetimit të suksesshëm dhe bashkëpunimit të shkëlqyer mes institucioneve vendore të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë FBI-në.
Kurti rikujtoi se që në orët e para pas sulmit kishte deklaruar se origjina e tij ishte nga Serbia, bazuar në informacionet e inteligjencës, dhe tani hetimet kanë siguruar prova që tre të akuzuarit kanë qenë në vendngjarje dhe lidhen me struktura ilegale serbe.
Ai kritikoi Beogradin zyrtar për mohimin e përgjegjësisë dhe për përpjekjet për dezinformim, duke theksuar se aktakuza e ngritur konfirmon vlerësimet e institucioneve kosovare të bëra publike më parë.
Kurti shtoi se rasti dëshmon se terrorizmi në Kosovë nuk mbetet pa ndëshkim dhe se dezinformimi nuk mund të kalojë pa u zbuluar.




