Mesjava sjell ndeshjet e javës së 12-të në Superligën e Kosovës në basketboll, me përballje mjaft interesante të mërkurën dhe enjten. Vëmendja kryesore është te derbi GO+Peja – Sigal Prishtina, ku dy skuadrat me traditë përballen në një ndeshje me rëndësi të madhe për renditjen, pasi Peja ka shtatë fitore, ndërsa Prishtina gjashtë.
Në Gjakovë, Vëllaznimi pret Rahovecin 029 në një duel të rëndësishëm për të dyja ekipet, ndërsa të enjten zhvillohet derbi rajonal mes Bashkimit dhe Golden Eagle Yllit në Therandë. Ndërkohë, Trepça dhe Bora përballen sërish në Mitrovicë, vetëm 48 orë pas ndeshjes së fundit, ku mitrovicasit morën fitoren dhe kryesojnë tabelën. Java e 12-të pritet të ketë ndikim të madh në garën për kreun e Superligës.




