Presidenti i CFR Clujit, Iuliu Mureșan, ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit kosovar Lindon Emërllahu te klubi ukrainas Polissya Zhytomyr.
Emërllahu ndodhet në Ukrainë, ku po i nënshtrohet testeve mjekësore dhe pritet që brenda pak orësh të nënshkruajë kontratën me klubin e ri.
Sipas Mureșanit, CFR Cluj do të përfitojë 1.5 milionë euro nga ky transferim, ndërsa ka siguruar edhe 15 për qind nga një shitje e mundshme e ardhshme e lojtarit.
Duke folur për “gsp.ro”, Mureșan tha se marrëveshja është fitimprurëse për klubin rumun, duke theksuar se investimi fillestar është tejkaluar dukshëm nga përfitimi aktual, si dhe nga përqindja e ruajtur për të ardhmen.
Emërllahu, i cili më parë ishte pjesë e Ballkanit, këtë sezon ka regjistruar 17 paraqitje me CFR Clujin, duke shënuar katër gola, si dhe pesë ndeshje në garat kualifikuese evropiane.
Në total, ai ka zhvilluar 41 ndeshje për Clujin, me gjashtë gola dhe tre asistime, ndërsa ka edhe 12 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës.




