Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe autoritetet ndërkombëtare, ka realizuar transferimin dhe ekstradimin e dy shtetasve kosovarë nga Çekia dhe Gjermania.
Më 13 janar 2026, nga Çekia u transferua një shtetas i dënuar për “vrasje në tentativë”, i cili pas kthimit iu dorëzua Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Ndërkaq, më 14 janar 2026, nga Gjermania u ekstradua një shtetas i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për armëmbajtje pa leje, lëndim trupor dhe kanosje.
Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë bashkëpunimin ndërkombëtar për parandalimin dhe luftimin e krimit, si dhe për ndjekjen dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.




