Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026, ku ka shqyrtuar kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të NEMO për periudhën 2026–2028. ZRRE njofton se lista e tarifave për Kosovën propozohet të mbetet e pandryshuar, pa rritje për konsumatorët.
Sipas Muharrem Gashit, Udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRRE, të hyrat e lejuara përfshijnë komponentët standardë rregullatorë si kostot operative, investimet kapitale, amortizimet, kapitali i punës dhe tarifat e licencës.
Vlerat e propozuara për Kosovën janë: 669,028 euro për vitin 2026, 712,410 euro për vitin 2027 dhe 835,613 euro për vitin 2028. Rritja e këtyre të hyrave nuk reflekton rritje të tarifave për konsumatorët, por buron nga volumi i energjisë dhe rritja e kostos për njësi.
ZRRE ka sqaruar se tarifat e NEMO dhe ALPEX nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, të cilat formohen automatikisht sipas ofertave dhe kërkesës në platformën tregtare.
Në mbledhje, ZRRE ka shqyrtuar edhe caktimin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit për vitin 2026.
Pas përfundimit të mandatit të furnizuesit të përkohshëm më 31 janar 2026 dhe dështimit të dy tenderimeve, është vendosur që KESCO të caktohet si furnizues për një periudhë trevjeçare (1 shkurt 2026 – 31 janar 2029).
Ky mekanizëm shërben si mbrojtje për konsumatorët, për të garantuar furnizim me energji elektrike në situata të jashtëzakonshme, dhe nuk përfaqëson një aktivitet tregtar afatgjatë.




