Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka vlerësuar lartë gjetjet e raportit “SecuriMeter 2025”, të realizuar nga Regional Cooperation Council, që mat opinionin publik mbi sigurinë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas raportit, 64% e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt, duke e renditur vendin me nivelin më të lartë të perceptimit të sigurisë personale në rajon. MPB-ja thekson se ky rezultat pasqyron stabilitetin dhe besimin në institucionet e sigurisë.
Raporti evidenton gjithashtu përpjekjet e institucioneve kosovare për patrullime dhe prezencë në hapësirat publike, si dhe nivelin më të ulët në rajon të perceptimit për ndërhyrje të padrejta të institucioneve të sigurisë në jetën private. Besimi i qytetarëve në polici është 70.6%, ndërsa në ushtri 74.6%.
Në aspektin social dhe ekonomik, 58.4% e qytetarëve e konsiderojnë Kosovën vend të sigurt për të jetuar, ndërsa 80.5% nuk kanë plan të emigrojnë, shifër që tregon rritje krahasuar me vitet e kaluara.
MPB-ja vlerëson gjithashtu se qytetarët e Kosovës shfaqin nivelin më të ulët të shqetësimit në rajon lidhur me qeverisjen, korrupsionin dhe ndikimet e jashtme, duke reflektuar përmirësim të perceptimit për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.




