Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, zhvilloi një takim me ambasadorin e Kombeve të Bashkuara, Jan Pierre Lacroix, ku diskutuan për zhvillimet e fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë takimit, Sorensen informoi Lacroix për marrëveshjen e fundit të arritur me Qeverinë e Kosovës, që lidhet me zbatimin e Ligjit për të Huajt. Ai theksoi se kjo marrëveshje u mundësua përmes një fryme konstruktive dhe pragmatike, duke vlerësuar bashkëpunimin me kryeministrin Albin Kurti.
Përfaqësuesi i BE-së gjithashtu theksoi rëndësinë e avancimit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke shprehur shpresën se ky proces do të vazhdojë të përparojë.
“Patëm një bisedë të mirë mbi zhvillimet e fundit në Dialog, dhe mbi rëndësinë e avancimit të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023. Pres me padurim më shumë diskutime në OKB javën e ardhshme,” shkroi Sorensen në një postim të tij.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një temë e nxehtë, dhe kjo bisedë midis Sorensen dhe Lacroix është një hap tjetër për të siguruar përparimin në këtë proces të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.




