Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka paralajmëruar se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe çrregullimet në tregjet globale mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë e Kosovës.
Ai theksoi se tensionet në rajonet prodhuese të naftës po ndikojnë në furnizimin global me derivate, gjë që reflektohet edhe në rritjen e çmimeve në vend. Sipas tij, ekonomitë botërore janë të ndërlidhura dhe çdo krizë ndërkombëtare bart pasoja edhe për vendet më të vogla.
Gërxhaliu vlerësoi se situata rëndohet edhe më shumë nga mungesa e stabilitetit politik në Kosovë, duke shtuar se vendi po përballet me krizë të vazhdueshme institucionale në një kohë sfidash globale.
Ai ngriti shqetësimin për nivelin e lartë të inflacionit, i cili sipas tij është më i lartë se në vendet e rajonit dhe po ndikon në krijimin e stagflacionit – kombinim i rritjes së çmimeve dhe ngadalësimit ekonomik.
Po ashtu, ai theksoi se Kosova ka mungesë të rezervave strategjike, duke e bërë më të brishtë përballë krizave të mundshme në furnizim.
Gërxhaliu shtoi se situata aktuale po trajtohet si normale, por paralajmëroi se pasojat reale do të ndihen në të ardhmen.
Ai bëri thirrje për veprime konkrete nga institucionet, përfshirë krijimin e një këshilli emergjent dhe ndërmarrjen e masave për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve dhe për të siguruar furnizimin me produkte bazë.




