Koalicioni i organizatave joqeveritare (OJQ) ka bërë thirrje për Qeverinë e Kosovës dhe komunat që çdo rishikim i ardhshëm i buxhetit për vitin 2026 dhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve të adresojnë nevojat e të gjithë qytetarëve, me fokus të veçantë fuqizimin ekonomik të grave.
Sipas hulumtimeve të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe Caritas Zviceran, 74% e grave mbeten jashtë tregut të punës, ndërsa pjesëmarrja e burrave në fuqinë punëtore është rreth 60%, krahasuar me vetëm 26% për gratë. OJQ-të paralajmërojnë se kjo mungesë pengon zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Koalicioni ka propozuar gjashtë fusha kritike veprimi:
1. Ligj i ri për punën – për të eliminuar diskriminimin gjinor dhe për të siguruar pushime të lehonisë, atësisë dhe prindërore të mbuluara nga shteti.
2. Investime në shërbimet e kujdesit – rrjet kombëtar për kopshte dhe subvencione që mund të krijojnë rreth 10,000 vende pune për gratë.
3. Transport i qasshëm në zonat rurale – subvencione dhe linja të sigurta për të lehtësuar qasjen e grave në tregjet e punës.
4. Buxhetim i përgjegjshëm gjinor – institucionalizimi i BPGj-së dhe sigurimi i burimeve për Zyrtarët për Barazi Gjinore.
5. Llogaridhënie në agjendën e reformave – vendosja e treguesve gjinorë dhe konsultime publike transparente.
6. Bashkëpunim me shoqërinë civile – për përmirësimin e ligjeve dhe politikave që nxisin zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës.
OJQ-të nënvizojnë rëndësinë e veprimeve konkrete për të krijuar mundësi zhvillimi për gratë dhe burrat e Kosovës, duke e bërë barazinë gjinore një prioritet të qartë në planifikimin buxhetor dhe politik.




