Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, ku u diskutua për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, ambasadori Çobaj e uroi Konjufcën për detyrën e re dhe rikonfirmoi mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën. Bisedimet u përqendruan në rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë, sidomos në kontekstin e zhvillimeve gjeopolitike dhe çështjeve rajonale.
Ministria e Punëve të Jashtme theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve me Malin e Zi dhe avancimin e partneritetit në fusha të ndryshme.




