Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përkujtoi sot 27-vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe, duke e cilësuar atë si një krim me paramendim dhe të planifikuar për të shuar jetën dhe ekzistencën e banorëve shqiptarë. Ajo përmendi se 64 persona nga fshati ende figurojnë si të zhdukur me dhunë, duke e cilësuar këtë plagë të hapur dhe padrejtësi që nuk është shuar me kalimin e kohës.
Osmani theksoi rolin e figurave si Ukshin Hoti, intelektual i zhdukur, dhe guximin e grave të Krushës, si Fahrije Hoti, që e kthyen dhimbjen në forcë dhe humbjen në qëndresë. Ajo nënvizoi se përballë tragjedisë, fshati nuk u thye dhe mbetet dëshmi e qëndresës dhe forcës për të kërkuar drejtësi.
Nga 25 deri më 27 mars 1999, forcat serbe masakruan 243 persona dhe dogjën 893 shtëpi në Krushë të Rahovecit. Masakra është pjesë e aktakuzës për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë serbë, por ende nuk ka pasur një hetim të plotë dhe asnjë dënim të drejtpërdrejtë për krimet e kryera.
Presidentja bëri thirrje që kujtesa për viktimat të mbetet gjallë dhe drejtësia të mos ngelet pezull, duke kërkuar përgjegjësi për autorët e këtyre krimeve./EO/




