Fondacioni Kijeva për Zhvillim ka reaguar publikisht kundër vendimit të Komunës së Malishevë për shndërrimin e një pjese të fshatit Kijevë, konkretisht zonës së Gradinave, në deponi për mbeturina inerte.
Në reagimin e tyre, fondacioni e cilëson këtë vendim si të papranueshëm, duke theksuar se ai cenon drejtpërdrejt mjedisin, shëndetin dhe cilësinë e jetesës së banorëve të zonës. Sipas tyre, Kijeva nuk duhet të kthehet në vend grumbullimi për mbeturina.
Ata bëjnë të ditur se janë kundër këtij projekti dhe kërkojnë rishqyrtim urgjent nga institucionet përgjegjëse. Në të njëjtën kohë, është nisur edhe mbledhja e nënshkrimeve për një peticion që do t’i dorëzohet Drejtorisë së Urbanizmit dhe Inspektoratit Komunal, me qëllim ndalimin e projektit.
Fondacioni u bën thirrje të gjithë banorëve që të bashkohen në këtë iniciativë për mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rëndësinë e një Kijeve të pastër dhe të shëndetshme.




