Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 27-vjetorin e masakrës së Izbicës, duke theksuar se kjo ngjarje mbetet dëshmi e dhimbjes dhe thirrje për drejtësi.
Sipas saj, 147 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat serbe, përfshirë edhe një foshnje 6-muajshe, Dafina Qelaj. “Izbica nuk është vetëm dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të lirisë. Është kujtesë që nuk guxon të zbehet dhe thirrje që drejtësia të mos vonojë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se krimet e kryera nga Serbia, me qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, duhet të përballen me drejtësinë. Presidentja theksoi se kujtimi për të rënët është obligim, ndërsa drejtësia për ta mbetet amanet.
Në përmbyllje, Osmani bëri thirrje për përkujtim të përhershëm të viktimave: “Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët”.




