Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u nderua në Parlamentin Austriak me Çmimin “Dr. Erhard Busek” për lidership dhe përkushtimin e saj në avancimin e lirisë, demokracisë dhe integrimit euroatlantik të Kosovës.
Çmimi iu dha gjatë konferencës ndërkombëtare “Kosova në BE”, e organizuar me mbështetjen e Andreas Minnich, Nënkryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, në kuadër të 27-vjetorit të ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë.
Minnich e lavdëroi Osmanin si një “ndërtuese urash transatlantike” dhe vlerësoi punën e saj për pranimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe promovimin e projekteve me rëndësi globale.
Presidentja Osmani, në fjalën e saj përmes video-mesazhit, falënderoi Parlamentin Austriak për organizimin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke e konsideruar këtë çmim si njohje për angazhimin e saj gjatë mandatit presidencial.




