Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në seancën plenare të Kuvendit për nevojën për rikthimin e ligjit për çmimin tavan, për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet me çmimet e larta të derivateve të naftës.
Ai tha se qytetarët po përballen me rritje të padrejta të çmimeve, duke theksuar se disa tregtarë dhe biznese po përfitojnë nga krizat energjetike për të rritur çmimet në mënyrë artificiale.
Kurti nënvizoi se shteti duhet të ndërhyjë për të garantuar drejtësinë në treg dhe për të mbrojtur konsumatorët.
“Kur çmimi i produkteve bazike rritet përtej çdo logjike ekonomike, tregu humb sensin e drejtësisë dhe qytetari mbetet i pambrojtur. Shteti duhet të ndërhyjë me maturi dhe vendosmëri,” tha ai.
Kryeministri kujtoi se projekligji për çmimin tavan ishte kontestuar më parë nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, por tha se iniciativa do të kthehet për diskutim dhe votim në Kuvend, duke bërë thirrje për mbështetje të përbashkët.
“Kjo nuk është ndërhyrje kundër tregut, por për drejtësi në treg,” shtoi Kurti.




